October 24, 2018 marin

VLERESIMI NGA KOMISIONI I PROVIMIT TE AFTESIVE DREJTUESE E TE SJELLJES

Vlerësimi i aftësive drejtuese e të sjelljes bëhet pasi të jetë bërë përgatitja e tyre sipas programit. Kontrolli i njohurive duhet të reflektojë shkallën e lehtësisë me të cilën kandidati menaxhon kontrollin e mjetit dhe aftësitë e tij për të drejtuar mjetin në trafik me siguri të plotë. Anëtarët e komisionit duhet të ndjehen të sigurtë gjatë testit. Gabimet e drejtimit të mjetit ose drejtimi që rrezikon sigurinë rrugore, pasagjerët e tij apo përdorues të tjerë të rrugës do të penalizohen me dështimin e testit, pavarësisht në se anëtarët e komisionit apo instruktorit të praktikës i duhet të ndërhyjnë ose jo. Megjithatë, anëtari i komisionit vendos nëse testi i aftësive dhe sjelljes duhet të përfundojë apo jo.

Gjatë vlerësimit të tyre, anëtarët e komisionit duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë nëse kandidati tregon sjellje justifikuese (korrekte) dhe sociale gjatë drejtimit të mjetit, gjë që merret parasysh në vlerësimin përfundimtar. Kjo përfshin drejtimin e përshtatur dhe të sigurtë të mjetit, duke marrë parasysh kushtet e rrugës dhe motit, duke marrë parasysh lëvizjet e tjera, duke marrë parasysh interesat e përdoruesve të tjerë të rrugës (veçanërisht ata më të dobët) dhe parashikimet e situatave.

Anëtarët e komisionit duhet të tregojnë itinerarin e lëvizjes. Komisioni nuk duhet të urdhërojë lëvizjen e mjetit në kundërshtim me rregullat e Kodit Rrugor.

  1. Komisioni i marrjes në prova të praktikës mban shënime, vëzhgon dhe vlerëson se si kandidati:
  2. Kontrollon mjetin, vendos rripin e sigurimit, rregullon pasqyrat dhe mbështetësen e kokës, rregullon sediljen, përdor dritat dhe pajisjet e tjera, përdor friksionin, kutinë e shpejtësisë, pedalin e gazit, sistemin e frenimit, sistemin e drejtimit etj.;
  3. Drejton mjetin në shpejtësi të ndryshme, vendos ngarkesën dhe siguron komoditetin e pasagjerëve (jo rritje të menjëhershme të shpejtësisë, drejtim i qetë i mjetit, dhe jo frenim i fortë) etj.;
  4. Drejton mjetin në mënyrë ekonomike dhe kujdeset për mjedisin duke marrë parasysh xhirot e motorit, ndërrimet e shpejtësisë, frenimet dhe përshpejtimin (vetëm për kategoritë BE, C, CE, C1, C1E, D, DE, D1, D1E);
  5. Përdor në mënyrë të duhur pasqyrat për shikimin në distancë të largët, të mesme dhe të afërt;
  6. Zbaton përparësinë: përparësia në kryqëzime, në hyrje rrugësh, në rast lëvizje prapa, në rast kthimi të sensit të lëvizjes etj.;
  7. Pozicionon mjetin në rrugë: pozicioni i duhur në rrugë, në korsi, në rrethrrotullime, në kthesa, të përshtatshme për llojin dhe karakteristikat e automjetit, para kryqëzimeve;
  8. Mban distancën: mbajtja e distancës së duhur në pjesën e përparme dhe anash, mbajtja e distancës së duhur nga përdoruesit e tjerë të rrugës;
  9. Zbaton shpejtësinë e lëvizjes​​: mostejkalimi i shpejtësisë maksimale të lejuar, përshtatja e shpejtësisë me kushtet e motit, trafikut etj. Mbajtja e një shpejtësie të tillë që të jetë në gjendje të ndalojë kur është e nevojshme;
  10. Kontrollon dhe zbaton sinjalet e policit, semaforët, sinjalet vertikale dhe     horizontale;
  11. Zbaton rregullat në përdorimin e sistemeve të ndriçimit dhe sinjalizimit të mjetit;
  12. Frenon dhe ndalon sipas kushteve të rrugës dhe trafikut. Përdorimi i bllokazhit të motorit (vetëm për kategoritë C, CE, D, DE);
  13. Parashikon më përpara situatat.

Pas shpalljes fitues të kandidatit në provimin e praktikës, ai duhet të bëjë pagesën për tarifën e pajisjes me lejedrejtimi (taksa e buxhetit) dhe pagesën për pajisje me lejedrejtimi mjeti (shërbimi dhe vlera e kartës së lejedrejtimit).