October 23, 2018 marin

PROCEDURA PER MARRJEN E LEJEDREJTIMIT TE KATEGORISE AM

Mosha minimale për regjistrimin e personit të interesuar dhe aftësia e tij për të drejtuar mjete, në funksion të kategorisë së lejedrejtimit, jepen në tabelën e mëposhtme.

Lejedrejtimi Aftësia për të drejtuar
 

Kategoria AM

Mosha minimale

16 vjeç

 

• ciklomotorë me dy rrota, kategoria L1, projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo me shumë se 45 km/orë:

–  me cilindratë më të vogël ose të barabartë me 50 cm³ nëse është me djegie të brendshme;

–  me fuqi nominale të vazhduar më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët elektrikë.

• mjete me tri rrota, kategoria L2, projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo më shumë se 45 km/orë:

–  me motor me cilindratë më të vogël ose të barabartë me 50 cm³ nëse është me ndezje të komanduar, ose me fuqi maksimale më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët e tjerë me djegie të brendshme;

–  me fuqi nominale të vazhduar më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët elektrikë.

• mjete të lehta me katër rrota, kategoria L6, me masën bosh më të vogël ose të barabartë me 350 kg, përjashtuar masën e baterive për mjetet elektrike, projektuar me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/orë dhe jo më shumë se 45 km/orë:

–  me cilindratë më të vogël ose të barabartë me 50 cm³ për motorët me ndezje të komanduar, ose me fuqi maksimale më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët e tjerë me djegie të brendshme;

–  me fuqi nominale të vazhduar më të vogël apo të barabartë me 4 kw për motorët elektrikë.

 

Për marrjen e lejedrejtimi të kategorisë AM, personi i interesuar duhet të kalojë vetëm provën e njohurive teorike.

Personi që ka mbushur moshën 16 vjeç mund të regjistrohet në DRSHTRR që ka në juridiksion vendbanimin e tij duke plotësuar kërkesën për kryerje shërbimi, model D/KSH, dhe dorëzon:

  • dokument identifikimi
    • Për shtetasit shqiptar, fotokopjen e kartës së identitetit që vërtetohet me origjinalin nga nëpunësi i pranimit.
    • Për shtetasit e huaj, fotokopje pasaporte e përkthyer dhe noterizuar (rasti kur pasaporta nuk është gjuhë zyrtare e BE) dhe fotokopje leje qëndrimi, të vlefshme, të noterizuar.
  • fotografi me ngjyra, 2 (dy) copë, me përmasa 4 x 5 cm, njëra nga të cilat të jetë e nënshkruar nga personi (emër + mbiemër), në pjesën e mbrapme;
  • certifikatë mjekësore me fotografi, me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e regjistrimit.

Me dorëzimin e këtyre dokumenteve, nëpunësi i pranimit bën verifikimet përkatëse:

  • personi duhet të jetë mbi 16 vjeç;
  • të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente për ndalim pajisje me LD;
  • të mos jetë në proces përgatitje për kategori tjetër.

DRSHTRR pajis kandidatin me “LEJE”, model DD/TAM, për regjistrim dhe për prova teorie. Tarifa e shërbimit është 1000 lekë(500 – regjistrimi dhe 500 – provimi i teorisë).

Vlefshmëria e LEJES është 6 muaj nga data e lëshimit.

Kandidati merr pjesë në provimin e teorisë pranë komisionit të marrjes në prova, në DRSHTRR duke paraqitur “LEJE-en”, dokumentin e identifikimit dhe Dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar, ose fotokopjen e noterizuar të saj, të vlefshme.

Para hyrjes në provim, kandidati fotografohet dhe bën nënshkrimin elektronik (emër + mbiemër). Fotografia dhe nënshkrimi i kandidatit pasqyrohen në kokën e fletës së testimit.

Provimi është i informatizuar (me kompjuter), numri i pyetjeve – 30, koha maksimale – 30 minuta, numri i gabimeve të lejuara – 3.

Kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e teorisë, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin. Për çdo riprovim bëhet pagesë prej 400 lekë.

Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova dhe/ose brenda afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”, mund të regjistrohet sërish por, pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”.

Kandidati fitues i provimit të teorisë:

  • bën pagesën e tarifës së pajisjes me lejedrejtimi (taksa e buxhetit të shtetit) prej 3000 lekë si dhe pagesën e tarifës së shërbimit për lejedrejtimin prej 3500 lekë;
  • fotografohet, bën nënshkrimin elektronik dhe konfirmon personin që do të tërheq lejedrejtimin;
  • kur konfirmon se lejedrejtimin e tij do ta tërheq një person tjetër, dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi.

Lejedrejtimi tërhiqet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

V.O. Shtetasit e huaj kanë të drejtë që në provën e kontrollit të njohurive teorike të  marrin përkthyes të licensuar ose të pajisur me diplomën përkatëse.