Mosha minimale për regjistrimin e personit të interesuar dhe aftësia e tij për të drejtuar mjete, në funksion të kategorisë së lejedrejtimit, jepen në tabelën e mëposhtme.
Lejedrejtimi | Aftësia për të drejtuar |
Kategoria A1 Mosha minimale18 vjeç |
• motor pa kosh (kategoria L3) me cilindratë deri 125 cm³ dhe fuqi max deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1 kw/kg;
• motor me kosh (Kategoria L4) me cilindratë deri 125 cm³ dhe fuqi max deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1 kw/kg; • tricikël (motomjete me tre rrota, simetrike ndaj aksit gjatësor, kategoria L5), me fuqi deri 15 kw; • makina bujqësore dhe komplekset e mjeteve bujqësore që nuk i kalojnë kufijtë e përcaktuar në nenin 53, pika 4 e Kodit Rrugor (gjerësia: 1.6 m, gjatësia: 4m, lartësia 2.5 m, masa maksimale e autorizuar me ngarkesë: 2.5 ton, shpejtësia: 40 km/orë). |
Kategoria A2 Mosha minimale18 vjeç |
• motor pa kosh (Kategoria L3), me fuqi maksimale deri 35 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg dhe që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij;
• motor me kosh (Kategoria L4) me fuqi maksimale deri 35 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg dhe që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij. |
Kategoria B1 Mosha minimale18 vjeç |
• motomjete me katër rrota, të ndryshëm nga ata AM, masa pa ngarkesë e të cilave është më e vogël ose e barabartë me 400 kg ose 550 kg për mjetet e destinuara për transport mallrash (kategoria L7), përjashtuar masën e baterive për mjetet elektrike, të cilat fuqinë maksimale neto të motorit e kanë më të ulët ose të barabartë me 15 kw;
• mjete të tjera që konsiderohen motomjete me tre rrota simetrike ndaj aksit gjatësor (të kategorisë L5). |
Kategoria B
Mosha minimale 18 vjeç |
• automjete me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3500 kg dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një gjysmërimorkio që nuk e kalon masën maksimale të autorizuar 750 kg;
• motomjete me tre rrota simetrike ndaj aksit gjatësor me fuqi më të madhe se 15 kw; • motomjete të kategorisë A1 me kusht që mbajtësi i lejedrejtimit të jetë të paktën 21 vjeç; • makinat bujqësore; • makinat teknologjike. |
Procedura për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë A1, A2, B1 ose B është e njejtë.
Kandidati paraqitet në një autoshkollë të licencuar (pavarësisht vendbanimit) për kategorinë e lejedrejtimit që kërkon dhe dorëzon:
- Dokument identifikimi
- Për shtetasit shqiptar, fotokopjen e kartës së identitetit që vërtetohet me origjinalin nga nëpunësi i pranimit.
- Për shtetasit e huaj, fotokopje pasaporte e përkthyer dhe noterizuar (rasti kur pasaporta nuk është gjuhë zyrtare e BE) dhe fotokopje leje qëndrimi, të vlefshme, të noterizuar.
- Për personelin e huaj të Ambasadave ose të Organizatave Ndërkombëtare që gëzojnë statusin diplomatik duhet fotokopja e pasaportës diplomatike, e vlefshme, fotokopje të kartës diplomatike e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe kërkesa për regjistrimin e shtetasit për kryerje shërbimi, e lëshuar nga Ambasada ose nga Organizata Ndërkombëtare.
- fotografi me ngjyra, 2 (dy) copë, me përmasa 4 x 5 cm, njëra nga të cilat të jetë e nënshkruar nga personi (emër + mbiemër) në pjesën e mbrapme;
- certifikatë mjekësore me fotografi. Në datën e regjistrimit në DRSHTRR, certifikata duhet të jetë brenda afatit të vlefshmërisë 6 muaj nga data e lëshimit. Ndërmjet autoshkollës dhe kandidatit lidhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e secilës palë. Kontrata është pjesë e dokumentacionit që ruhet në autoshkollë.
Përfaqësuesi i autoshkollës plotëson kërkesën për regjistrim, model D/KR,dhe dorëzon dokumentet e kandidatit. Nëpunësi i pranimit i DRSHTRR bën verifikimet përkatëse:
- kandidati duhet të plotësojë kërkesat e moshës;
- të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente për ndalim pajisje me LD;
- të mos jetë në proces përgatitje për lejedrejtimi të një kategorie tjetër.
DRSHTRR pajis kandidatin me “LEJE”, model DD/T, për regjistrim dhe për prova teorie.
Tarifa e shërbimit është 1000 lekë (500 – regjistrimi dhe 500 – provimi i teorisë).
Vlefshmëria e LEJES është 6 muaj nga data e lëshimit.
Kandidati merr njohuritë teorike në autoshkollë për kategorinë e kërkuar dhe sipas programit. Orët e mësimit dhe koha e nevojshme për përgatitjen e njohurive teorike është 36 orë, në jo më pak se 15 ditë;
Kandidati merr pjesë në provimin e teorisë pranë komisionit të marrjes në prova, në DRSHTRR duke paraqitur “LEJE-en”, dokumentin e identifikimit dhe Dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar ose fotokopjen e noterizuar të saj, të vlefshme (vetëm për rastet kur kandidati hyn në prova teorie për herë të parë).
Para hyrjes në provim, kandidati fotografohet dhe bën nënshkrimin elektronik (emër + mbiemër). Fotografia dhe nënshkrimi i kandidatit pasqyrohen në kokën e fletës së testimit. Provimi është i informatizuar (me kompjuter), numri i pyetjeve – 40, koha maksimale – 40 minuta, numri i gabimeve të lejuara – 4. Kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e teorisë, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin. Për çdo riprovim bëhet pagesë prej 400 lekë.
Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova dhe/ose brenda afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”, mund të regjistrohet sërish në autoshkollë por, vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së “LEJE-s”.
Nëpunësi i pranimit i DRSHTRR pranon kërkesën nga përfaqësuesi i autoshkollës, për regjistrimin në praktikë të kandidatit fitues të provimit të teorisë dhe bën verifikimet përkatëse:
- kandidati duhet të plotësojë kërkesat e moshës;
- të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente për ndalim pajisje me LD;
- të mos jetë në proces përgatitje për lejedrejtimi të një kategorie tjetër.
DRSHTRR pajis kandidatin me “AUTORIZIM”, model DD/P, për kursin e ushtrimit të drejtimit të mjetit. Tarifa e shërbimit është 1200 lekë (200 – regjistrimi dhe 1000 – provimi i praktikës).
Autorizimi lëshohet jo më vonë se 6 muaj nga data e fitimit të provës së teorisë dhe e ka afatin e vlefshmërisë 6 muaj.
Në rast se kandidati fitues i provimit të teorisë nuk pajiset me Autorizimin e praktikës brenda 6 muajve nga data e fitimit të provimit të teorisë, ai mund të rifutet në provën e kontrollit të njohurive teorike pa e përsëritur kursin e teorisë në autoshkollë. Në këtë rast, kandidati bën pagesën e tarifës së shërbimit dhe provimit prej 1500 lekë dhe pajiset me “LEJE”, model DD/TRP.
Kandidati bën përgatitjen praktike për kategorinë e kërkuar në autoshkollë. Seancat dhe ditët për përgatitjen praktike janë si në tabelë. Seanca ditore është jo më pak se 40 minuta.
LEJEDREJTIMI QË
KËRKOHET |
Seanca |
Ditë |
|
Kategoria A1 | 12 | 12 | |
Kategoria A2 | 12 | 12 | |
Kategoria B1 | 12 | 12 | |
Kategoria B | 25 | 25 |
Kandidati merr pjesë në provimin e praktikës pranë komisionit të marrjes në prova në DRSHTRR duke paraqitur “AUTORIZIMIN” e praktikës dhe dokumentin e identifikimit, të vlefshme.
Kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e praktikës, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin. Për çdo riprovim bëhet pagesë prej 500 lekë. Në rast se kandidati nuk e fiton provimin me 5 prova ose brenda afatit të vlefshmërisë së autorizimit të praktikës atëherë, ai mund të rifutet në provimin e teorisë pa e përsëritur kursin e teorisë në autoshkollë, vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së autorizimit të praktikës.
Kandidati fitues i provimit të praktikës:
- bën pagesën e tarifës së pajisjes me lejedrejtimi (taksa e buxhetit të shtetit) prej:
- 3000 lekë për A1 ose A2;
- 4500 lekë për B1 ose B,
- si dhe, pagesën e tarifës së shërbimit për lejedrejtimin prej 3500 lekë;
- kur vendbanimi i kandidatit është në juridiksionin e një Drejtorie tjetër Rajonale ai bën edhe pagesën e tarifës së shërbimit për transferimin e dosjes prej 600 lekë.
- fotografohet, bën nënshkrimin elektronik dhe konfirmon personin që do të tërheq lejedrejtimin;
- kur konfirmon se lejedrejtimin e tij do ta tërheq një person tjetër, dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi. Lejedrejtimi tërhiqet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
V.O. Shtetasit e huaj kanë të drejtë, që në provën e kontrollit të njohurive teorike dhe në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes, të marrin përkthyes të licensuar ose të pajisur me diplomën përkatëse.