October 23, 2018 marin

DEKLARATË PËR SHTYP – MBI PROBLEMATIKËN E TRAJTUAR NË EMISIONIN INVESTIGATIV “STOP”

Mbi problematikën e trajtuar në emisionin investigativ “STOP” të datës 12.09.2018 në DRSHTRR Vlorë: Shërbimi për regjistrim dhe pajisje me targa e leje qarkullimi të mjeteve të llojit Ciklomotor, ashtu edhe si për të gjitha llojet e tjera te mjeteve rrugore, kryhet në DPSHTRR, në zbatim të ligjit nr. 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërise” i ndryshuar.

Konkretisht për llojin Ciklomotor, i referohemi nenit 52, i cili ka këtë përshkrim:

Ciklomotorët janë mjete me motor, me dy ose tri rrota, që kanë këto karakteristika:

  1. a) motor me cilindrat jo më të mëdha se 50 cc, në qoftë se është motor me djegie të brendshme;
  2. b) aftësi lëvizëse mbi rrugë horizontale me një shpejtësi deri në 45 km/h;
  3. c) ndenjëse njëvendëshe që nuk lejon transportin e një njeriu tjetër, përveç drejtuesit të mjetit.

… kur e kalojnë kufirin e përcaktuar, qoftë edhe për njërën prej karakteristikave të treguara më lart, konsiderohen si motomjete;

Shërbimi vazhdon vetëm nëse pas verifikimit rezulton se ka përputhje të dhënash mes dokumentit të origjinës me treguesit teknik dhe kqyrjes fizike të mjetit.

Konkretisht Z. Daniel Sulaj ka paraqitur kërkesën për targimin e 30 ciklomotorëve Marka “SKUTER” të importuar nga Republika e KINËS. Nga specialistët e Kontrollit Fizik në Drejtorinë Rajonale Vlorë është konstatuar se kishte mospërputhje midis dokumentacionit teknik të origjinës dhe faktit sa i takon numrit të vendeve.

Në dokumentacionin e origjinës është përcaktuar qartë numri i vendeve është 1 (një), i cili është një nga kushtet që ndan klasifikimin e ciklomotorit nga motomjeti.

Kërkesa e qytetarit ka qenë që ti regjistronte me numrin e vendeve 2 (dy), kërkesë kjo e pa pranushme nga ana ligjore. E sqaruam qytetarin dhe mbas këmbënguljes së tij i dhamë refuzimin e shërbimit dhe rrugën që duhet të ndjekë për zgjidhjen e problemit.

Pasi Z. Sulaj, u ballafaqua me kërkesat ligjore dhe dokumentacionin e origjinës, ky i fundit ra dakord t’i regjistronte këto mjete të llojit Ciklomotor, dmth me 1 (një) vend, duke u tërhequr nga kërkesa e parë.

Ky është thelbi i problemit dhe kjo është zgjidhja ligjore e pranuar nga të dyja palët. Në këtë mënyrë nuk ekziston më asnjë pengesë në institucionin tonë për këtë rast.

Pavarësisht disponibilitetit të DPSHTRR-së, për kryerjen dhe përfundimin e shërbimit, me keqardhje konstatojmë që qytetari nuk mund të regjistrojë mjetet e tjera, për shkak të të dhënave doganore që evidentohen në DAV (Dokumenti Administrativ i Vetëm).

Gjatë hedhjes së të dhënave në sistemin informatik na rezulton se nuk na konfirmohen të dhënat e kryerjes se formaliteteve të zhdoganimit nga Drejtoria e Doganave.

Gjatë procedurës së sherbimit për regjistrim në sportel, përveç të tjerave nepërmjet ndërveprimit të sistemeve informatike kryhet edhe verifikimi i veprimeve të zhdoganimit të mjetit. Theksojmë se për çdo mjet janë të vlefshme kredencialet e një deklarate doganore DAV të vetme, që lëshon dega doganore. Në rastin konkret rezulton se në një deklaratë doganore janë kryer formalitet për zhdoganim për më shumë se një mjet, për pasojë vetëm njëri prej tyre mund të pajiset me targa dhe leje qarkullimi. Për pjesën tjetër të mjeteve që ka po e njëjta DAV nuk mund të kryhet shërbimi për regjistrim në DPSHTRR.

Në këto kushte sistemi nuk na lejon përfundimin e veprimeve të mëtejshme pa u konfirmuar zhdoganimi i mjeteve. Kjo është jashtë kompetencave institucionale të DPSHTRR-së. Për këtë arsye qytetari është orientuar me shkresë për rrugën ligjore që duhet të ndjekë.

Theksojme se ky nuk është rasti i parë që veprimet me mjetet rrugore në degët doganore sjellin shqetësime. Në këtë këndvështrim sjellim në vëmendje importimin e mjeteve rrugore për pjesë këmbimi ose për shkatërrim, por që në degët doganore janë zhdoganuar si mjete të rregullta. Për pasojë qytetarët përplasen në sportelet e Drejtorive tona Rajonale pa arritur të marrin sherbim. Ndërkohë që Drejtoria e Pergjithshme e Doganave edhe pse është njoftuar zyrtarisht nga DPSHTRR për disa mjete të importuara që kanë mospërputhje në deklaratat doganore, vazhdojnë të justifikohen me faktin që procedurat doganore kryhen mbi bazën e vetdeklarimit, por pa argumentuar mosveprimin e tyre në këto raste. Shpeshherë mosmarrëveshjet mes institucioneve krijojnë shqetesime të panevojshme për qytetarët deri në mospërfundim të sherbimit që ata kërkojnë.

Duke falenderuar median investigative, bëjmë me dije se DPSHTRR-ë  është gjithmonë e hapur  për çdo ankesë, në favor të zgjidhjes së problematikave që hasen gjatë procedurave të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Faleminderit!